“KFC”, në mbështetje të kinematografisë

“Kosovo Film Commission”, në mbështetje të kinematografisë

13 Mars 2016 • 10:51

Ngjallja e jetës kinematografike dhe promovimi i Kosovës si vend i përshtatshëm për xhirime filmike, duke bërë që të njihemi edhe për gjëra të mira, është qëllimi i organizatës “Kosovo Film Commission”, e themeluar nga Ag Apolloni. Nëpërmjet lobimit dhe postimit të vendeve të ndryshme në ueb-sajt, do t’u bëhen oferta kineastëve të huaj që të vijnë t’i realizojnë projektet e tyre në Kosovë.

Për drejtorin e “Kosovo Film Commission”, Ag Apolloni, ky komision është themeluar për të mbështetur kinematografinë, specifikisht për t’iu ndihmuar prodhimet televizive, filmat, dokumentarët, reklamat, ose audio-vizive didaktike, ose të realizuara nga shkollat që duan të xhirojnë në komunat e tjera të Kosovës.

“KFC ka për qëllim t’i furnizojë me informata të gjithë prodhuesit audio-vizivë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për realizimin e produkteve të tyre”, është shprehur Apolloni. Ai ka thënë se KFC shërben si një “interface” mes administratës së komunave dhe industrisë kinematografike.

E në veçanti për marrjen e lejeve për xhirimin e filmave.

“Qëllimi i KFC-së është të ndihmojë shoqëritë e produksionit në kërkimin e vendeve të duhura për filmime dhe për shërbime të tjera në këtë sektor”, ka thënë Apolloni, duke cekur se themelimi i “Kosovo Film Commission” është pritur me një interesim të madh nga artistët.

“Prandaj, nuk ka munguar edhe dëshira e artistëve për anëtarësim. Meqë ueb-sajti është në fazën e përfundimit, së shpejti do të publikohen emrat e bordit, të anëtarëve të tjerë dhe të të gjithë aktorëve kosovarë që do të jenë pjesë e këtij komisioni”, ka treguar Ag Apolloni, sipas të cilit deri tani kanë konkurruar dhjetëra aktorë dhe së shpejti ky numër do të rritet.

“Sigurisht, duke u bërë pjesë e kësaj organizate, aktorët do të jenë vazhdimisht në audicion online, pra ata mund të zgjidhen nga producentët dhe regjisorët edhe pa qenë nevoja të jenë të pranishëm fizikisht”, ka thënë Apolloni, duke treguar se fotografia dhe biografia e tyre mund të klikohet në çdo kohë dhe kjo është ajo që audicionet virtuale i bën befasuese.

“Aktori mund të zgjidhet për një rol, derisa është duke fjetur apo duke pirë kafe, pra pa qenë i vetëdijshëm se i është shtruar një selektimi. Për rrjedhojë, nuk besoj që do të ketë aktorë që duan të mbesin jashtë një shansi të tillë”, është shprehur Apolloni, duke shtuar se në ueb-sajt do të hidhen fotografi të të gjitha kategorive hapësinore që do të shërbejnë si një udhëzues i mirë për kineastët që duan të xhirojnë në Kosovë.

“Gjithashtu, nëpërmjet lobimit dhe postimit të vendeve të ndryshme në ueb-sajt, do t’u bëjmë oferta kineastëve të huaj që të vijnë e t’i realizojnë projektet e tyre në Kosovë”, është shprehur Apolloni, sipas të cilit, që nga vitet ’40 të shekullit të kaluar, pos filmave kosovarë, në Kosovë (Pejë, Prizren, Mitrovicë) janë xhiruar filma të produksioneve të huaja. “Janë xhiruar filma si: “Winnetou” nga Harald Reinl, “Uka i bjeshkëve të Nemuna” nga Miki Stamenkoviç, apo, së fundmi, edhe filmi “Shok” (2015) nga Jamie Donoughue”, është shprehur Apolloni, i cili thotë se kjo traditë duhet të vazhdojë. “Ne duhet të bëjmë çmos ta ngjallim jetën kinematografike këtu në Kosovë dhe t’i bëjmë të tjerët t’i kthejnë sytë kah ne edhe për gjëra të mira”, ka thënë drejtori.

Ag Apolloni, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe autor i librave si “Zomb”, “Parabola postmoderne”, “Ulurima e Ujkut” e “Zazen”, ka thënë për “Zërin” se organizata e ka qendrën në Prishtinë, por ajo do të shtrihet edhe në komunat e tjera.

“Qëllimi i organizatës sonë është promovimi i gjithë shtetit si vend i përshtatshëm për xhirim, por sigurisht në disa pjesë do të fokusohemi më shumë”, është shprehur Apolloni.

Ai ka thënë se ky fokusim parcial varet jo vetëm nga kritere estetike, por edhe nga përkrahja që do ta sigurojnë.

“Si nga komunat, disa kryetarë të të cilave na kanë premtuar mbështetje dhe kështu na kanë dhënë dritën jeshile që të promovojmë komunat e tyre”, ka thënë Apolloni, duke shtuar se presin që të kenë përkrahje nga ta.

“Sepse përfitimi që mund të sjellë kjo organizatë, do t’u përkasë në radhë të parë vetë komunave. Më shumë se 30% të kostove kineastët e huaj që zgjedhin Kosovën si vend për xhirimin e filmave, do ta investojnë në kinema, restorante, hotele, transport etj.”, ka vazhduar Apolloni, sipas të cilit përveç komunave, beson që edhe bizneset private do të kenë leverdinë e tyre për ta ndihmuar këtë projekt të madh kinematografik dhe sapo të sensibilizohen për rëndësinë e tij, përkrahja e tyre nuk do të mungojë.

“Do të negociojmë avantazhet ekonomike (uljet, subvencionet) për ta përdorur territorin e Kosovës në produksionet audio-vizive. Dhe duke promovuar Kosovën, në këtë mënyrë i sjellim të ardhura vendit tonë dhe njëkohësisht punësojmë persona në këtë sektor”, është shprehur Apolloni. /ZËRI/

Themelohet Kosovo Film Commission

Themelohet Kosovo Film Commission Bota Sot | 29.01.2016 17:39 Në Kosovë, para pak kohësh, nga një grup profesionistësh të artit […]

Kosova, vend atraktiv për regjisorët e huaj

Kosova do të promovohet si vend atraktiv për regjisorët e huaj 2 Shkurt 2016 – 08:56 Prishtinë, 2 shkurt – […]