Për Kosovën

KOSOVA

Kosova është shtet i pavarur në Evropën Juglindore. Kryeqytet i saj është Prishtina. Shumica dërrmuese e popullsisë është shqiptare, ndërsa komunitetet e tjera përfshijnë serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët.
Ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Kosova është vendi i fundit që e fitoi pavarësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate, duke u shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008.

Gjeografia

E shtrirë në qendër të Siujdhesës Ballkanike, Kosova ka një lartësi mbidetare që luhatet prej 400 deri në 700 metra (në rrafshe), ndërsa pika më e ulët prej 297 metrash ndodhet në Vërmicë, në kufi me Shqipërinë. Dy rrafshet janë të ndara dhe të rrethuara me vargmale të theksuara në lartësi prej 2.000 deri në 2.500 metra; pika më e lartë, Gjeravica, arrin në 2.656 metra. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 811 metra.
Klima e Kosovës, e ndikuar nga rrymat ajrore kontinentale, përkufizohet nga dimër i ftohtë me reshje të rënda bore, si dhe vjeshtë e verë të nxehtë e të thatë. Në vise dhe lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit vërehen ndikime mesdhetare dhe alpine.
Hidrografia e Kosovës shënon disa lumenj të rëndësishëm që derdhen në të gjitha detet e rajonit. Drini i Bardhë është lumi më i gjatë me 122 km, i cili bashkohet me Drinin e Zi në Shqipëri dhe bashkë derdhen në Detin Adriatik. Lumi i Nerodimës që buron në malin e Nerodimës dhe derdhet në lumin Lepenc, në literaturën gjeografike njihet për bigëzim (bifurkacion). Ndonëse ky fenomen gjeografik është artificial, meriton të përmendet si bifurkacioni i vetëm në kontinentin tonë. Ndërkaq, rezervuarët artificialë të Gazivodës, Radoniqit, Batllavës dhe Badovcit llogariten si liqenet kryesore të vendit.
Janë 52 zona të mbrojtura në Kosovë: parqe, monumente, zona natyrore etj.

Atraksionet

Kosova ka shumë shumë atraksione natyrore, si: Bjeshkët e Nemuna, Liqenet e Mirushës, Ujëvara e Mirushës, Shpella e Gadimes, Gjeravica, Burimi i Drinit, Shpella e Radacit, Brezovica, Luboteni, Bjeshka e Liqenatit, Maja e Gurit të Kuq, Guri i shpuem etj., si dhe atraksione arkitektonike-historike: Kalaja e Prizrenit, Ura e Fshejtë, Kalaja e Vushtrrisë dhe disa muzeume dhe objekte kulti.